Sot ndeshja Skotlandë-Shqipëri, McLeish: Shqiptarët janë ekip i fortë

0

Sonte në orën 20:45 Shqipëria do të zbresë në fushë në Glasgow për të luajtur ndeshjen e dytë në grupin e parë të Ligës C përballë Skocisë. Kuqezinjtë shkojnë në Skoci në gjendje optimale dhe me moralin lart, pasi mposhtën në ndeshjen e parë në Elbasan Izraelin 1-0 me një gol të Xhakës. Në konferencën e fundit para ndeshjes, Panucci u shpreh se duan tre pikët e plota, ndërsa vlerësoi maksimalisht kundërshtarin.

“Kemi ardhur për të kërkuar fitoren. Do të luajmë ndaj një skuadre të plagosur në një ambient të vështirë, që ka humbur 4-0 me Belgjikën. Do të bëjmë më të mirën për të marrë fitoren. Kemi respekt për Skocinë, por në do luajmë shanset tona. Nuk jemi favoritë, jemi në të njëjtin nivel tri skuadra”, u shpreh Christian Panucci.

 

Trajneri i përfaqësueses skoceze Alex McLeish thotë se Shqiprëia është një ekip i fortë, por objektivi i tij janë pikët e plota.

“Shqipëria shënoi një fitore të rëndësishme dhe vjen me shumë besim këtu. Nuk është skuadër e dobët. Ne duhet të zhvillojmë lojën më të mirë dhe të marrim fitoren e 3 pikët dhe mundësinë e kemi”, tha Alex McLeish.

Në ndeshjen e sotme tekniku italian Panucci pritet që të luajë me 5 mbrojtës. Mavraj, Veseli dhe Gjimshiti pritet që të rreshtohen në qendër, ndërsa nga krahët Binaku dhe Hysaj. Në mesfushë Basha dhe Memushaj do të luajnë në qendër, ndërkohë që Xhaka me Hykën nga krahët. E ndërsa në Elbasan përballë Izraelit në sulm luajti Guri, në Skoci pritet që të zbresë në fushë nga minuta e parë Balaj. Në portë, Strakosha nuk diskutohet.