Kosova, ky teatër tragjikomik

0

Flaka Surroi

Kosova është qëmoti një teatër, herë i kukullave, herë i aktorëve amatorë që pretendojnë se marrin vesh politikë dhe se e dinë nga na kanë nisur. Po t’i kishin luajtur rolet në një vend e kontekst tjetër, me siguri se vetëm ishim kënaqur duke qeshur me ta. E nuk është që nuk qeshim dhe bëjmë shaka në llogari tyren. Por më shumë në tonën, sepse e kemi kuptuar se çdo ditë e jetuar në Kosovën e sotme s’është tjetër pos një tragjikomedi në njëzet akte

Çfarë mund të thuhet për një javë në të cilën na i hëngrën nervat ama bash krejt “faktorët politikë” në Kuvend, Qeveri e Kryesi. Luajtja me fatin e shtetit në formë kaq të papërgjegjshme, të bën të besosh se ky vend nuk ka shpëtim, përderisa udhëhiqet nga diletantët dhe injorantët politikë të cilët nuk na kanë rënë hise, por i kemi zgjedhur vetë.

Nuk ka ndjenjë më të keqe sesa të përpiqesh të shikosh nga e ardhmja e të shohësh mjegull të dendur e cila nuk të lejon të shohësh as rrugën përpara e as fytyra të reja politike që do të duhej ta sillnin ndryshimin në këtë vend.

Se sa të kota po bëhen thirrjet për zgjedhje të reja – po edhe të ndodhnin nesër, menyja e fytyrave të vjetra në ofertë nuk do të ndryshojë. E nuk ka gjë më të keqe sesa t’i shohësh të rizgjedhura mendjet bajate që sillen e mbështillen nëpër kuvend duke e treguar tërë demagogjinë dhe mossinqeritetin e tyre, sa më shumë e sa më pak, varësisht se a janë në pushtet apo në opozitë.

Kuvend i kotë

Kur mbaruan zgjedhjet vjet, shumë prej nesh kishim shpresë që Kosovës nuk do t’i binte hisja për koalicionin më të keq të mundshëm që e ka pasur në histori. Tyxhari Pacolli e ndërmjetësoi formimin e Qeverisë së krahut të turpit dhe Kosova hyri në krizë të thellë qeverisëse ende pa nisur mirë mandati i kësaj qeverie.

Balanca e forcave në Kuvend u përgjysmua, dhe pushteti ia siguroi vetes mandatin falë votave të Lista Srpskas. Që nga fillimi është ditur se do të jenë peng të tyre, dhe në mbledhjen e fundit pikërisht edhe kjo u dëshmua. Pas intervenimit të Thaçit te dosti i vet Vuçiq, Lista Srpska, që i kishte tre deputetë e që së bashku me Teuta Rugovën ia siguronin kuorumin koalicionit qeverisës, vendosi që të mos e votonte delegacionin e Qeverisë të cilën e propozoi Haradinaj.

Pra, partitë në pushtet nuk e shtynë para propozimin për shkak se kjo nuk i konvenonte Thaçit: me emërimin e delegacionit qeveritar, Limaj bëhej kryesues i dialogut, e Thaçi nuk figuronte askund. Nuk i konvenonte për shkak se AAK-ja insistonte që të mos hapej debati për territorin e Kosovës dhe që e detyronte delegacionin që të raportonte prapa në Kuvend. A ka më mirë se me e lënë krejt në mjegull, e që më pas me u kthye me deklarata patetike se si një marrëveshje që e cungon integritetin territorial të Kosovës është “shpëtimi” i saj, duke u përcjellë nga “argumenti” se “kështu e kërkojnë miqtë tanë ndërkombëtarë”.

Loja me seanca të jashtëzakonshme e pati qëllimin e qartë: që opozita të mos mundte ta kalonte rezolutën e vet kundër korrigjimeve, shkëmbimeve a shitjeve të territorit dhe që njëkohësisht t’i shpëtohej lëkura Haradinajt, i cili po qe se vazhdon ta kundërshtojë Thaçin për punë të kufijve, do të mbarojë i shkarkuar nga posti i kryeministrit dhe kjo me votat e PDK-së.

Opozita nuk ia doli t’i mblidhte as ata 58 deputetë që i ka në listë (apo 57, se Teuta Rugova praktikisht është shndërruar në PDK); NISMA ia luajti lojën përçmuese (e shihni, nuk mundeni me bë asgjë pa ne), kurse AAK-ja u hidhërua se askush nuk po e merr seriozisht shefin e saj, i cili përfundimisht duket se ka dalë jashtë tefterit duke insistuar se kush nuk ka luftuar nuk ka të drejtë të merret me asgjë, e as të flasë, e as të mendojë, as të veprojë — veç ta dëgjojë atë. Dhe nëse dikush pahiri çohet dhe e ofendon, mund të mbarojë i nokautuar, sepse dita më ditë kryeministri po dëshmon se ka vetëm muskuj.

Oda e burrave në miniaturë

E një nga vendimet e diskutueshme të Haradinajt është pikërisht edhe caktimi i Delegacionit Qeveritar, odën e burrave në miniaturë, ku lë vend të rezervuar për secilën parti opozitare parlamentare dhe për shoqërinë civile. Po ta kishte quajtur delegacion shtetëror, dhe po të kishte përcaktuar shprehimisht detyrat me të cilat ngarkohet ky delegacion, mbase edhe do të kishte pasur logjikë një përzgjedhje e këtillë. Vetë emërtimi i delegacionit është përjashtues edhe i partive opozitare e edhe i shoqërisë civile — dhe me gjasë kjo është bërë me qëllim që të mos hidhërohet Thaçi.

Se si e ka menduar veprimin e këtij delegacioni, nuk u lodh për të na treguar. I lexoi emrat e anëtarëve të delegacionit dhe tha se kryesues do të ishte Limaj, njëri nga zëvendësit e tij dhe njeriu me aktakuzë për korrupsion. Listës ia bashkëngjiti Dardan Gashin, gjithashtu me aktakuzë dhe nën hetime, tyxharin Pacolli, adhuruesin e Thaçit, Hoxhaj, ministrin e gjithhershëm Jagxhillar dhe Avni Arifin, njeriun e tij. Nuk doli për të thënë se në këtë delegacion nuk kishte vend për Thaçin dhe nuk u lodh ta paraqesë madje as një platformë që do t’i përcaktonte bile disa pikë rreth të cilave do të mundë të merreshin vesh që të gjithë.

Por, i lau duart nga përgjegjësia. Pa fjalë e tha: “A po thotë Kushtetuesja se Qeveria duhet ta marrë rolin udhëheqës, ja pra delegacionin, pataten e nxehtë po ia la në dorë Limajt. Se çka ndodh në Bruksel, s’është punë për mua. Kam punë më të rëndësishme se kjo”.

Mungesë e autoritetit

Pra, duke iu kthyer punëve më të rëndësishme, në Rubikon kërcënoi se do ta rrahë këdo që e quan hajn. E pse ai i quan të tjerët hajna të pulav’, ajo nuk ka dert. Sepse ata nuk kanë luftuar.

Nuk i doli boll kjo, dhe u paraqit para ambasadorëve të Kosovës me një deklaratë që e shpërfaq krejt injorancën e një njeriu që, për fat keq tonin, e udhëheq Qeverinë e Kosovës. “…Mendoj se është i pazoti ai ambasador ose ai diplomat që thotë se nuk po na dërgon Prishtina instruksione. Unë mendoj se ai është një qyqan ose qyqane. E pse po e them për këtë, sepse mediat e sotme, teknologjia e ka mundësuar që ju mund ta shihni takimin e Qeverisë direkt, ju mund t’i përcillni 20 tema të takimit të Qeverisë. Është marre me thënë se nuk po dërgon Prishtina instruksion, si nuk ju vjen marre, e keni takimin e Qeverisë direkt… Unë i shoh ambasadorët e vendeve tjera që janë këtu, sa të interesuar janë për proceset e këtij vendi, sa shumë mësojnë e sa shumë dinë, sa janë të zotë me i ndihmua vendet e veta. Edhe ju bëjeni të njëjtën, interesohuni për vendin tuaj, përcillni proceset, përcillni temat. Ju siguroj se keni mjaft për me e paraqitë Kosovën tek këto vende”.

Çka të thuash, pos deklaratë skandaloze që vetëm e vërteton pazotësinë e kësaj Qeverie për t’i mbrojtur interesat e Kosovës edhe jashtë. Po ambasadorët e vendeve të tjera në Kosovë takohen me zyrtarët politikë në Kosovë, dhe natyrisht se i mbledhin informatat dhe i kthejnë prapa në vendet e veta në pritje të instruksioneve se si duhet vepruar tutje. Po ata nuk janë si diplomatët tanë që funksionojnë me hamendje dhe të cilët, po qe se gabojnë, do të akuzohen dhe shkarkohen se nuk kanë ditur si ta mbrojnë shtetin jashtë kufijve. E nëse Haradinajt ia merr mendja se përcjellja e takimeve të Qeverisë ku vendoset për zhvatjen e buxhetit të Kosovës do të mundë t’iu shërbejë si instruksion, atëherë e kemi shumë të qartë se pse i kemi punët si i kemi. Ndërkohë, Serbia, me shërbim diplomatik përnjëmend, na shkel në të gjitha aspektet. Marre kryeministër!

Marre LDK

Pra, Haradinaj është një nga arsyet se pse ky vend është duke shkuar në regres. Iu realizua ëndrra për t’u bërë kryeministër. U bë, dhe tash sillet ashtu siç iu ka tekë. Krejt çka ka folur për një vit kanë qenë pallavra për hava. Krejt çka ka bërë është zbrazja e arkës shtetërore për projekte e “obligime” që as nuk mundet t’i arsyetojë. Krejt politikën që e bën, është t’ia ruajë vetes karrigen dhe mos t’ia prishë qejfin Thaçit: sepse ashtu siç ia plotësoi dëshirën, ashtu edhe e heq nga rendi i ditës, kur tashmë nuk i duhet më.

Po të kishte qenë Haradinaj e vetmja arsye e regresit, ndoshta edhe e kishim pasur më lehtë. Mbase do ta ftonim kampionin Aziz Salihu të ballafaqohej me të, dhe kështu do ta mbyllnim edhe këtë kapitull. Por kapitullin e mbajnë të hapur NISMA, që e shpërfaqi fytyrën e vet të vërtetë në çastin kur u bë me pak pushtet; PDK-ja kronikisht negative me një udhëheqës cinik që mendon se është “funny” posaçërisht kur merr me shkrepë selfie në Kuvend, dhe opozita e shkapërderdhur që nuk po mundet me i lidhë fijet për shkak të shumë akuzave, kërcënimeve dhe tradhtive që ia kanë bërë njëra-tjetrës. E në mesin e kësaj opozite të bërë lëmsh vendin e parë e zë LDK-ja. Dhe jo për shkak të numrit më të madh të deputetëve, por për shkak të frikës dhe oportunizmit skajshmërisht neveritës që dëshmon dita më ditë.

Të mërkurën u mbajt protesta e re e qytetarëve, në kushtet kur nuk dihej se çfarë po ndodhte në Kuvend. Numri i protestuesve kësaj radhe qe më i vogël, dhe organizatorët u bënë thirrje partive opozitare që të bashkoheshin, apo së paku ta mobilizonin anëtarësinë që t’iu bashkoheshin protestave që po kërkojnë që ligji të nisë të sundojë në këtë vend.

Pas dështimit të seancave të Kuvendit, VV-ja vendosi t’i bënte ftesë LDK-së që të organizonin protesta së bashku. Kaluan dy ditë dhe përgjigje zyrtare s’ka. Porse ka deklaratë nga njëri nënkryetar, Veliu, që pak a shumë tha se problemet nuk zgjidhen me protesta dhe se duhet punuar në forcimin e institucioneve. Pra, se rruga nuk është zgjidhje. Thuajse është duke folur për ndonjë shtet tjetër, diku mbase i imagjinuar, thuajse nuk po e sheh se institucioni kryesor që supozohet se e përfaqëson popullin nuk mund të funksionojë, për shkak se madje edhe koalicioni qeverisës e bllokon duke ia humbur kuorumin.

LDK-ja si parti e parë e opozitës me numra, si më e vjetra dhe me jo pak përkrahje mjaftohet me konferenca të “lodhta” shtypi, ku një njeri anemik del dhe i deklamon pesë fjali. Si parti, që na ka lodhur shpirtin duke u thirrur në “frymën rugoviane” nuk është në gjendje t’ia gjejë zgjidhjen urithit Teuta Rugova, e nuk është në gjendje as t’i mëshojë tavolinës me dorë, për t’i thënë boll më figurës autokratike që po e udhëheq Kosovën drejt humnerës, aq më parë që me votat e veta e kanë bërë kryetar. Do të duhej të ndiheshin të turpëruar për shkak të atij veprimi, pasojat e të cilit i vuajmë ne të gjithë, dhe mu ky turp do të duhej t’u shërbente si arsye tepër e fortë për të treguar se i kanë rënë pishman dhe se nuk do ta përkrahin më.

Fakti se nuk e përmendin madje fjalën protestë, përderisa thonë “do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike”, tregon se janë frikacakë e nuk janë racionalë si përpiqen të paraqiten. Tregojnë se nuk janë të gatshëm për ta bërë ndryshimin, dhe nuk janë të gatshëm për ta ndalur Thaçin. Mosveprimi i tyre në fakt është përkrahje implicite që ia bëjnë atij dhe planeve të tij prej korrigjimeve, këmbimeve dhe shitjeve të territorit. Marre për LDK-në, e cila ende beson në përrallën e institucionalizmit fake, të cilin e kanë shndërruar në frazë bajate.

* * *

Kosova është qëmoti një teatër, herë i kukullave, herë i aktorëve amatorë që pretendojnë se marrin vesh politikë dhe se e dinë nga na kanë nisur. Po t’i kishin luajtur rolet në një vend e kontekst tjetër, me siguri se vetëm ishim kënaqur duke qeshur me ta. E nuk është që nuk qeshim dhe bëjmë shaka në llogari tyren. Por më shumë në tonën, sepse e kemi kuptuar se çdo ditë e jetuar në Kosovën e sotme, s’është tjetër pos një tragjikomedi në njëzet akte.