Grubi: VMRO-DPMNE ta vendosë emrin e partisë në tabelën para selisë edhe në gjuhën shqipe

0

Deputeti i BDI-së Artan Grubi, porosit VMRO-DPMNE-në që të jenë të parët të cilët do të zbatojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili sot në mëngjes u publikua në Gazetën Zyrtare. Ai tha se emrin e partisë, VMRO-DPMNE duhet ta shkruajë edhe në gjuhën shqipe para selisë, përcjell Infomagazin.

Në një konferencë shtypi në Parlament, Grubi tha se Ligji për Gjuhët prej sot hyn në fuqi dhe institucionet duhet menjëherë të bashkohen dhe të zbatojnë dispozitat ligjore. Ndryshe nga zgjidhja e mëparshme ligjore, tha se i riu parashikon krijimin e një Inspektorati që do të kontrollojë zbatimin e Ligjit.

“Të gjitha institucionet në vend duhet ta respektojnë ligjin. Presidenti i paligjshëm që po largohet, ka edhe dy muaj të tjerë në zyrën e tij. Për të sqaruar, ai ka detyrim ligjor për të nënshkruar vetëm shpalljen e ligjit, ndërsa vetë ligji është nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit. Shpallja e ligjit së bashku me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë është plotësisht në përputhje me ligjet. Ne mendojmë se Ivanovi dhe VMRO-DPMNE duhet të kapërcejnë dhe të bëhen të parët për të shkruar VMRO-DPMNE para selisë së tyre edhe në gjuhën shqipe”, tha Grubi. /Infomagazin/