Kurti: Qeveria duhet të shkojë, taksa ndaj Serbisë të mbetet!

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se taksa nuk duhet të hiqet. Ai tha se pavarësisht presioneve, të cilat së fundmi kanë ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një gjë e tillë nuk duhet ta zmbraps Qeverinë Haradinaj.

Kurti ka ritheksuar se nuk do të votojnë buxhetin. Madje thotë se si i tillë është buxhet i Qeverisë dhe oborrit të saj, siç e quajti ai.

“Buxheti nuk duhet të kalojë, sepse ai është një buxhet i cili nuk e zhvillon ekonominë e Kosovës. Nuk e zbut pabarazinë dhe varfërinë në Kosovë. Përkundrazi, është buxhet i qeverisë dhe oborrit të saj. Ne kërkojmë sa më parë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo qeveri duhet të shkojë, mirëpo taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet”, tha Kurti, raporton KP.

I pyetur se kur janë gjasat që kjo qeveri të rrëzohet, ai tha se kryeministri është dashur tash e sa kohë të jap dorëheqje.

Sepse, sipas tij, kjo qeveri është karakterizuar nga skandalet për shkak të keq qeverisjes dhe korrupsionit. Madje, u shpreh i bindur se viti 2019 do të jetë vit zgjedhor.

Përkundër kësaj, ai tha se e përkrah qeverinë në vendimin për taksën ndaj mallrave serbe. Madje, tha se qeveria nuk duhet të zmbrapset, pavarësisht presioneve të ndërkombëtarëve.

“Taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, nuk duhet të hiqet… Ne kemi insistuar në parimin e reciprocitetit të plotë me Serbinë. Edhe në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik dhe tregtar. Serbia neve na ka shumë borxh, ne nuk i kemi borxh Serbisë. Por, qeveria aktuale, ndonëse nuk e bëri taksën qind për qind si pjesë të reciprocitetit, si pjesë të një vizioni, më të menduar dhe më të përgatitur, megjithatë ajo assesi nuk duhet të zmbrapset prej këtij veprimi, por taksa duhet të mbetet qind për qind”, tha ai.

Në 120 vjetorin e Lidhjes së Pejës, Albin Kurti ka bërë homazhe edhe tek shtatorja e Haxhi Zekës. Këtë të fundit ai e ka quajtur si veprimtar të jashtëzakonshëm.

“Haxhi Zeka ka qenë një veprimtar i jashtëzakonshëm, i cili përveç se ishte pjesëmarrës dhe anëtar i komitetit qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 20 vite më vonë ai e formon, organizon, drejton dhe e udhëheq si kryetar i zgjedhur Lidhjen e Pejës. Dhe natyrisht shënon një etapë tejet të rëndësishme të lëvizjes dhe rilindjes tonë kombëtare… Ishte Haxhi Zeka në krye të Pejës, i cili së brendshmi e bënte pajtimin e shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë lidhte besën, për t’u mbrojtur në mënyrë të pakursyer ndaj sulmeve të shteteve të tjera të Ballkanit, te cilat dëshironin të zgjeroheshin në kurriz të shqiptarëve”, ka përfunduar ai.

Albin Kurti së bashku me anëtar tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, në 120 vjetorin e Lidhjes së Pejës ka vizituar edhe Kullën dhe mullirin e Haxhi Zekës, në Pejë./Telegrafi/