Presidenti meksikan, Trumpit: Emigrantët nuk janë problemi jonë, por i SHBA-së

0

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, ka kërkuar që presidenti i SHBA-ve, Donald Trump të mos e fajësojë më Meksikën për problemin me emigracionin ilegal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë gjithashtu se numri i meksikanëve që e kalojnë kufirin ilegalisht është më i vogël se kurrë më parë.

“Rrjedha e emigracionit të meksikanëve në SHBA është shumë e vogël. Meksikanët nuk po kërkojnë më punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumica prej tyre janë banorë të vendeve të tjera të Amerikës Qendrore”.

Ky reagim i liderit të Meksikës erdhi pas një postimi të homologut të tij amerikan në Twitter ku ka paralajmëruar mbylljen e këtij kufiri.

Ai ka thënë se “Meksika nuk po bën ASGJË për të ndihmuar në ndaljen e valës së emigracionit ilegal”.

“Ky është një problem i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose është një problem i vendeve të Amerikës Qendrore”, ka thënë Lopez Obrador duke shtuar se ai ka dëshiruar jashtëzakonisht shumë që të punojë me Trump në zgjidhjen e kësaj çështje.

Ai ka thënë gjithashtu se do të përqendrohej në adresimin e shkaqeve kryesore që shkaktojnë emigracionin ilegal.

Por, sipas tij, “nuk i takon meksikanëve” që të ndalojnë banorët e Amerikës Qendrore që të largohen nga vendet e tyre.

 

Një karvan tjetër i emigrantëve i përbërë nga rreth 1.200 persona janë nisur këtë vikend drejt veriut përmes Meksikës jugore.

Qendrat për emigrantë në SHBA janë tashmë të mbipopulluara derisa 100,000 emigrantë më shumë priten para fundit të marsit, sipas Komisionerit të Kontrollit Kufitar, Kevin McAleenan.