Sinani: Ali Ahmeti të dorëhiqet, ja përse?!

0

Analisti Arsim Sinani nëpërmjet studios së RTV Ora ku ishte i ftuar, i bëri thirrje kreut të BDI, Ali Ahmeti që të japë dorëheqjen përpara zgjedhjeve të ardhshme për ti hapur rrugë një gjenerate të re në qeverisjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Sinani shtoi se për aq kohë sa Ali Ahmeti ka pushtet, nuk do të ketë zyrtarizim të gjuhës shqipe dhe shqiptarët e Maqedonisë vetëm do të defaktorizohen.

“Ka një aktor dhe faktor që është përgjigjes për këtë dhe unë e ftoj sonte Ali Ahmetin që të dorëhiqet para zgjedhjeve të ardhshme, për shkak se ai është 18 vite në pushtet dhe në 18 vite nga idealet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare përfundoi në elitën maqedonase dhe u bë shërbëtori i tyre. Dhe në këtë kontekst çështja e gjuhës shqipe duhet të shikohet. Ahmeti shumë mirë u merrte vesh dje me Gruevskin dhe sot me Zaev për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e tij personale dhe klanit të Zajazit, të cilët keqpërdorën dashamirësinë, atdhedashurinë dhe procesin për të qenë shqiptarët të barabartë në Maqedoni. Por kur flasim për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë ne edhe në aspektin vertikal dhe horizontal të sistemit maqedonasit duan shqiptarë që rrinë në shtëpi dhe nuk janë pjesë e sistemit dhe këtë ua mundësoi kjo garniturë politike”, theksoi Sinani.

Ai tha se pret që gjenerata e ardhshme e cila do të vijë në politikë dhe qeverisë shqiptarët siç është profesor Blerim Reka, Ziadin Sela dhe Kasami atëherë ne mund të flitet për zyrtarizim të gjuhës shqipe dhe për një elitë shqiptare që nuk është e kapur nga shteti.

“Derisa ne do të kemi Ali Ahmetin në qeverisje të shqiptarëve, shqiptarët të Maqedonisë vetëm do të defaktorizohen dhe do kemi vetëm dalje dhe fotografime e nuk do kemi asnjë rezultat dhe sukses apo qeverisje dhe ndarje të pushtetit mes shqiptarëve të Maqedonisë, që Maqedonia e Veriut nesër të shndërrohet një shtet mes dy kombeve ku do qeverisnin vertikalisht dhe horizontalisht shqiptarët dhe maqedonasit”, theksoi profesori universitar nga Tetova, Arsim Sinani.