Zaev: I pranojmë mesazhet e Bullgarisë, presim zgjidhje të çështjeve të hapura

0

“Është e mundur që të gjendet zgjidhje e çështjeve të hapura me Bullgarinë. Ne kemi nënshkruar marrëveshje, në të cilën kemi pranuar se kemi histori të përbashkët, ndërsa kuptohet një pjesë e historisë e kemi të veçantë të dyja vendet dhe në këtë frymë unë besoj se komisionet do të gjejnë zgjidhje”.

Këtë e theksoi kryeministri Zoran Zaev në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për pozicionin e Sofjes drejt eurointegrimeve të vendit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Komisioni është profesionist dhe është bërë që t’i definojë gjërat. Thëniet tona janë që të ndërmerren hapa të mëdha, hapa të bazuara në fakte dhe në të vërteta, faktet dhe e vërteta janë të qarta dhe apelojmë që të gjendet zgjidhje dhe besoj se nuk mjafton vetëm pala jonë të ketë vullnet, për atë duhet edhe pala e Bullgarisë”, tha Zaev.

Ai beson se edhe ky kapitull i historisë duhet të tejkalohet edhe informoi se deri më tani janë zgjidhur katër periudha historike me gjashtë apo shtatë personalitete të rëndësishme, të cilët së bashku i festojmë një pjesë të këtyre periudhave.

“Politikisht kemi treguar edhe me marrëveshjen se jemi për bashkëpunim në këtë drejtim. Besoj se edhe ky kapitull i historisë për të cilin bisedohet do të tejkalohet. Qëllimi është që ta përforcojmë miqësinë dhe fqinjësinë e mirë. Pres se do të gjendet zgjidhje. Bullgaria është një nga mbështetëset tona më të fuqishme në BE, ndërsa besoj se këtë do ta tregojë edhe me vendimin për marrje të datës për bisedime pas 15 vjetëve të satusit si kandidat”.

“Besoj se nuk ka nevojë për shqetësim, e pranojmë alarmin dhe mesazhet që dërgohen nga Bullgaria. Tashmë punojmë me komisionet, do të kemi mbledhje dhe do të tregojmë me qëllim përfundimtar që dy palët të jenë të kënaqura gjatë arritjes së kësaj zgjidhje”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Ndryshe, sot në Bullgari krerët shtetëror kanë mbajtur takim konsultativ, në të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. Pas takimit kryeministri bullgar Boyko Borissov, tha se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE dhe nuk duhet të luhet me këtë mundësi.