Gashi: Kurti na ka zhgënjyer të gjithëve, edhe mua si përkrahës i koalicionit LDK-Vetëvendosje

0

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka konfirmuar se janë deponuar nënshkrimet për thirrjen e mocionit të mos besimit ndaj Qeverisë.

“Qytetarët e Kosovës po përballen me situatë të rënduar politike. Pajtohem me shqetësimet e qytetarëve pse të ndodhë diçka e tillë dhe pse në këtë kohë. Është gabim i Kurtit se si e ka perceptuar situatën. Ndjej keqardhje për mënyrë se si kemi arritur në këtë pikë dhe se si kaq shpejt përfundoi ky koalicion”, ka thënë Gashi, njofton Klan Kosova.

Sipas tij ata e kanë pritur Kurtin deri sot pasdite që të reflektojë mbi kërkesat e LDK-së – heqjen e tarifës 100 përqind dhe anulimin e vendimit për shkarkimin e Agim Veliut.

“Nuk duhet të funksionohet me kushte, ne kemi pasë kërkesa të cilat kanë qenë legjitime dhe të arsyeshme. Kosova po përballet me presion për ta hequr tarifën 100 përqind. Kurti vet ka thënë se tarifa ka humbur kuptimin. Fajtor dhe jofator nuk është e nevojshme të diskutohet. Me rëndësi është që kemi një propozim dhe qëndrojmë në atë që të hiqet tarifa dhe gradualisht të niset me masat reciproke nga 4 deri në 6 javë si fazë e mirëbesimit që jepet ndaj tyre”.

“Situata u vështirësua me kalimin e kohës kur Kurti në mënyrë të njëanshme merrte vendime pa konsultim. Momenti i parë është deklarimi në konferencë që do të ketë heqje të tarifës me njëfarë plani gradual, poashtu veprimi i para disa ditëve të largoi njërin nga ministrat tanë nga Qeveria që ishte goditja përfundimtare e qëllimshme nga Kurti”.

“Kurtit, Mustafa ia ka shkruar një letër dhe i lutet që bashkërisht të përballemi me sfida dhe ta heqim tarifën dhe të marrim përgjegjësi. Mustafa ia deklaron Kurtit dhe i thotë “të lutem largoje tarifën sepse përndryshe do të procedojmë dalje nga Qeveria pas kalimit të periudhës së virusit. Pas lutjes së Mustafës, Kurti në mënyrë të pashpjegueshme vendos të shkarkojë nënkryetarin e LDK-së nga pozita e ministrit. Këtu ka përfunduar”.

Gashi ka thënë se është i dëshpëruar edhe personalisht nga Kurti.

“Nuk mendoj që Kurti është antiamerikan, është Kryeministër që fatkeqësisht na ka zhgënjyer të gjithëve – edhe mua si përkrahës i këtij koalicioni”.