Koronavirusi, Johnson i kërkon Putinit të ndihmojë vendet më të varfra të botës

0

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ftoi presidentin rus, Vladimir Putin, që të marrë pjesë në një samit për trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Mbretëria e Bashkuar do të jetë mikpritëse e eventit muajin e ardhshëm, dhe në një bisedë telefonike, Johnson i kërkoi shefit të Kremlinit t`i bashkohet nismës “për të ndihmuar forcimin e sistemeve shëndetësore dhe trajtimin e koronavirusit në disa nga vendet më të varfra të botës”. Konferenca, e paralajmëruar që në prill, synon të bashkojë udhëheqës botërorë, donatorë dhe prodhues të vaksinave.

Johnson dhe Putin “u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit mes tyre dhe me vendet e tjera në përpjekjet për mposhtjen e sëmundjes”, thuhet në deklaratën e qeverisë britanike.

Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në Europë, më shumë se 31.000, ndërsa Rusia shënoi sot ditën e gjashtë me radhë me mbi 10,000 të infektuar të rinj.

Telefonata mes dy liderëve erdhi në kohën kur vendet në Europë kremtuan 75-vjetorin e mposhtjes së Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ajo që njihet si Dita e Fitores e gjeti këtë radhë një pjesë të madhe të kontinentit të vjetër të izoluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.