Krik: Drejtori i Institutit Dedinje ka furnizuar teste të pasigurta për Kovid-19 nga një biznesmen maqedonas të dyshuar për krim

0

Beograd, 11 maj 2020 (INFOMAGAZIN) – Drejtori i Institutit të Beogradit për sëmundje kardiovaskulare “Dedinje”, Millovan Bojiq ka furnizuar teste të shpejta për virusin korona “Biozek”, të cilat nuk janë të sigurta dhe të cilat janë prezantuar rrejshëm se janë prodhuar në Holandë – derisa ata në fakt janë bërë në Kinë, publikoi sot zëdhënësi i KRIK-ut (rrjeti për hulumtimin e krimit dhe korrupsionit).

Siç lajmëroi korrespondenti i INFOMAGAZIN-s nga Beogradi, Kriku dhe mediat tjera që e kanë transmetuar këtë lajm, bëjnë të ditur se Bojiqi i ka importuar testet nga Maqedonia e Veriut nga kompania e një njeriu i cili është nën hetim për larje parash, zhvatje dhe bashkim kriminel.

Para mbërritjes së këtyre testeve në Institutin Dedinje, së paku 80 persona ishin të infektuar me virusin korona, dhe deri sot e kësaj dite askush nuk është përgjigjur për përhapjen e infektimit në këtë institucion shtetëror që kujdeset për pacientët më të rëndë me sëmundje të zemrës.

– Pas përhapjes së virusit në Institutin, Millovan Bojiq, ka porositur se do të fillojë me testimin e të gjithëve që hyjnë në spitalin. Pas dy ditëve, instituti të cilin ai e drejton, ka blerë 300 teste për virusin korona “Biozek” nga kompania private “Sistina farmacija” nga Maqedonia e Veriut, shkruan në faturën deri te e cila kanë ardhur gazetarët e KRIK/OCCRP, duke shtuar se këto teste reklamohen në gjithë botën se janë prodhuar në Holandë, për zbulimin e virusit, ndërsa “Dedinje” i ka blerë për 3.000 euro.

Krik: Drejtori i Institutit Dedinje ka furnizuar teste të pasigurta për Kovid-19 nga një biznesmen maqedonas të dyshuar për krim

Sipas Krikut, problemi, megjithatë është i shumëfishtë: këto teste nuk janë të sigurta në zbulimin e virusit korona, reklamohen rrejshëm si produkt holandez, ndërsa kompania nga e cila i ka blerë Bojiqi është në pronësi të një biznesmeni maqedonas, i cili është nën hetim për krim.

Duke shkruar më tutje në tekstin, Kriku sqaron se këto teste janë prodhuar në Kinë, ndërsa janë ripaketuar në “holandeze” dhe janë të pasigurta për testimin e virusit korona.

– Në Maqedoninë e Veriut ka pasur raste, siç zbuloi redaksia hulumtuese e IRL Maqedoni, se persona për të cilët testi “Biozek” ka treguar se janë negativë, më pas kanë ndërruar jetë nga virusi korona, shkruan Krik.

Kompania private “Sistina farmacija” në Shkup, nga e cila Instituti Dedinje i ka furnizuar këto teste, është pjesë e kompanisë familjare të njërit prej biznesmenëve më të pasur maqedonas, Jordan Kamçev, i cili është nën hetim për larje parash, zhvatje dhe bashkim kriminal, bën të ditur Krik.

Kamçevi është i njohur në bazë të aferës “Reket”, në të cilën është e përfshirë edhe ish-prokurorja speciale Katica Janeva dhe ish-ylli i spektakleve realiti, Bojan Jovanovski, më i njohur si “Boki 13”.

Testet “Biozek” kanë mbërritur në Institutin “Dedinje” më 9 prill. Bojiq u deklaroi gazetarëve të Krik se ato janë përdorur si mjet ndihmës, e jo si teste që mund të vërtetojnë praninë e virusit, duke bërë të ditur se testimi është bërë vetëm në raste emergjente, në mënyrë që të pengohen pacientët që janë pozitiv ndaj këtij virusi të vijnë të mos vijnë në këtë institucion.

Ai gjithashtu pohon se Instituti nuk ka paguar për testet.

– Ndonëse fatura është lëshuar nga Instituti “Dedinje”, Bojiqi tha se testet kanë qenë të dhuruara dhe se faturën e ka paguar sponsori – emrin e të cilit nuk e ka shpalosur, shkruan Krik.

“Dokumentacioni i kompletuar – letër me qëllime, marrëveshja për donacion dhe pagesa e shpejtë është në Institutin”, tha Bojiqi për KRIK, por refuzoi t’ua dorëzojë gazetarëve.

Ndryshe, Bojiqi ka qenë anëtar i JUL-it të Mirjana Markoviqit, bashkëshorte e presidentit të atëhershëm Sllobodan Millosheviq, deputet në vitin 1997, ndërsa tre vite më vonë ministër i Shëndetësisë.

Në vitin 2005 Bojiqi përfundon në bankën e të akuzuarve, nën dyshimin se, si drejtor i “Dedinje”-s, gjatë periudhës prej vitit 1995 deri në vitin 2000, ka dëmtuar institutin për 200 mijë marka gjermane, për shkak të cilës arsye ka qenë në gjyq. Në prill të vitit 2012, ai është dënuar me 10 muaj burgim, ndërsa në tetor të vitit 2015, ai është liruar juridikisht.

Bojiqi sërish është në bankën parlamentare nga mesi i vitit 2016, si deputet i Partisë Radikale Serbe dhe anëtar i ekipit të mjekëve të liderit të saj Voisllav Sheshel kur e kanë vizituar në Hagë, ku ishte dënuar para Tribunalit ndërkombëtar penal për Ish-Jugosllavinë për krime kundër njerëzimit. Ai mori pjesë me Sheshelin në fushatën e tij presidenciale në pranverën e vitit 2017.

Disa muaj më vonë, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Bojiqi erdhi sërish të kryesojë Institutin Dedinje.