Vijnë reagimet e para nga Serbia pas deklaratave të Vjosa Osmanit për spastrim etnik në Luginë të Preshevës

0

Pas deklarimeve të kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, rreth çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe spastrimit të heshtur etnik të organizuar nga shteti serb, kanë ardhur reagimet e para nga Serbia.
Siç kishte deklaruar Osmani, rreth 60 kilometra në verilindje të Prishtinës shtrihet komuna e Medvegjës.
Sipas Osmanit, kjo komunë në regjistrimin e vitit 2011 numëronte 7438 banorë dhe tani, ndonëse pa statistika zyrtare, supozohet se në Medvegjë janë të regjistruar afërsisht vetëm 600 shqiptarë.
“Ky reduktim sistematik i popullsisë shqiptare në Medvegjë nuk është i rastësishëm. Privimi nga edukimi e punësimi, cenimi i të drejtave në gjuhë e përfaqësim, si dhe shtypja e vazhdueshme e regjimit serb kundrejt shqiptarëve në ato lokalitete ka ndikuar në dyndje të popullsisë shqiptare për të kërkuar kushte më të mira për familjet e tyre”, kishte shkruar Osmani në “Facebook”, përcjell “Telegrafi”.
Megjithatë, ka vënë në pah Osmani, përgjatë viteve të fundit Medvegja është vënë në shënjestër të politikës serbe, duke tentuar largimin përfundimtar të çdokujt që flet shqip në ato anë.