Qytetarët bllokohen në kufi reagon Aleanca për Shqiptarët

0

Reagim

Aleanca për Shqiptarët, për të satën herë me radhë, shpreh shqetësimin e saj lidhur me kthimin e mërgimtarëve tanë në vendlindje. Disa herë kemi reaguar për këtë problematikë,duke apeluar deri tek Ministria e Jashtme dhe Qeveria, se nuk po bën asgjë për të ndihmuar kthimin e qytetarëve tanë,sidomos nga Italia, ku situata është shumë shqetësuese për shkak të numrit të madh të qytetarëve tanë që duan të kthehen në vendlindje. Këtë e themi për shkak se kemi pranuar shumë shkresa të drejtpërdrejta nga qytetarë tanë që kanë mbetur të bllokuar në vende të ndryshme të BE-së për shkak të krizës me pandeminë.
I nderuar Zv/Kryeministër Bujar Osmani, problemet nuk zgjidhen as me deklarata boshe, e as duke i nënçmuar gazetarët që interesohen për këtë problematikë. Prandaj merrni masa sa nuk është bërë vonë,që mos të bëheni ju shkaktarë për ndonjë tragjedi,siç është rasti me një familje shqiptare nga rrethina e Shkupit, e cila sipas informacioneve tona është bllokuar prej 48 orëve në kufirin Hungarez.
Numri i atyre që duan të kthehen është shumë i madh,por përfaqësitë konsullore të RVM-së nuk janë në gjendje as tua hapin telefonin, e lëre më të bëjnë diçka më shumë për të ndihmuar kthimin e tyre.
Aleanca për Shqiptarët këtë problematikë e ka ndjekur me shumë shqetësim që nga fillimi dhe vazhdimisht kemi apeluar që të merren masa serioze për kthimin e mërgimtarëve tanë në vendlindje.

Aleanca për Shqiptarët
25.05.2020