Daut Beqiri: Është koha t’i kthehet dinjiteti Haraçinës

0

Tash Është koha t’i kthehet dinjiteti Haraçinës!

Banorët e Haraçinës me dekada të tëra janë ballafaquar me një sërë problemesh duke filluar nga ato më elementaret, siç janë uji i pijshëm, infrastruktura, rrjeti atmosferik. Shumë premtime janë bërë për mijëra banorët e kësaj komune por asnjëra kurrë nuk është realizuar.
Vizitat e politikanëve të partive të ndryshme janë aktivizuar vetëm gjatë fushatës zgjedhore dhe më pas gjithçka është lënë në harresë. Politikanët kanë ardhur në Haraçinë vetëm kur kanë pasur nevojë që të marrin vota, por jo edhe kur banorët e kësaj ane janë përballur me probleme të natyrave të ndryshme.
Mosrealizimi i projekteve të cilat janë premtuar me dekada të tëra ka bërë që banorët e kësaj komune të dëshpërohen dhe të kërkojnë alternativa të tjera. Zhgënjimi aq i madh i popullatës shqiptare ka bërë që të kërkojnë “shpëtim” tek partitë maqedonase. Kjo ndodhi në zgjedhjet e kaluara parlamentare kur shumë shqiptarë votuan për një parti maqedonase, duke dashur me këtë të dënojnë partitë shqiptare të cilat nuk bënë as hapin më të vogël që të bëjnë diçka për këtë komunë dhe fshatrat e saj.
Rreth 20 mijë banorë të kësaj komune janë lënë në mëshirë të fatit ndërsa banorët mezi sigurojnë kafshatën e gojës për familjet e tyre, për shkak se papunësia arrin kulmin. Gjatë viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të patriotizmit të rrejshëm. Përderisa të rinjtë ikin nga vendlindja politikanë të caktuar ende pa fije turpi përdorin gjakun e dëshmorëve, flamurin, gjuhën dhe elemente tjera kombëtare për të grabitur vota. Këta politikanë të maskuar nën petkun e gjoja idealeve kombëtare për vite të tëra kanë dëmtuar interesat e banorëve të Haraçinës, kanë vrarë shpresat dhe ardhmërinë e brezave të ardhshëm.
Pas gjithë këtyre të zezave që i janë bërë popullit është koha për kthimin e dinjitetit, krenarisë, vetëbesimit, shpresës, kthimin e perspektivës për gjeneratat e ardhshme e cila ishte rrëmbyer nga politikanët e pandërgjegjshëm dhe të korruptuar.
Tanimë është koha të hapet një kapitull i ri për këtë vendbanim që është pranë kryeqendrës por në realitet duket sikur është larg Shkupit më qindra kilometra.
Banorët e kësaj ane duan vepra konkrete dhe të realizueshme, investime, arsim dhe shëndetësi sipas standardeve që i kërkon koha, infrastrukturë, punësime, subvencione në bujqësi, objekte me interes publik, shkolla, ambulanca, kopshte fëmijësh, qendër tregtare, qendër kulturore-sportive etj.
Shteti gjithmonë e ka diskriminuar komunën e Haraçinës. Ky realitet i hidhur vazhdon edhe sot e kësaj dite, pavarësisht posteve të larta në qeveri që mbajnë partitë shqiptare. Edhe pse e shkatërruar nga lufta e vitit 2001 që ishte një bastion dhe krenari e luftës çlirimtare të UÇK-së, Haraçina ende mbetet një vendbanim i harruar kur bëhet fjalë për investime apo ndërtime.
Tanimë është koha që kjo padrejtësi të marrë fund përgjithmonë.
Me respekt, Daut Beqiri.