Visar Ganiu pardje pati kontakt me Kreshnik Bekteshin, sot mban konferencë për media, a po e rrezikojnë funksionarët e BDI-së shëndetin e qytetarëve.

0

Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, edhe pse e ka kaluar një herë virusin Kovid19, pardje përsëri ka pasur kontakt me një të infektuar nga ky virus. Bëhet fjalë për takimin që ai dhe Kreshnik Bekteshin kanë pasur me banorët e Mateçit gjatë hapjes së një salle sportive. Aty përveç atyre kanë qenë të pranishëm edhe funksionarë të tjerë përfshi këtu ministrin e Arsimit Arbër Ademin dhe zëvendëskryeministrin Sadulla Duraku.

 

Sot, në këto momente Visar Ganiu si i pari i Komunës Çair është duke zhvilluar konferencë për media, ndërsa sipas protokolleve i njëjti duet të ishte në vetëizolim dhe të testohej nga ana e organeve shëndetësore. Edhe pse ai ka kaluar infeksionin, në botë ka raste kur virusi Kovid19, është rikthyer, dhe ende është e paqartë se a paraqet ai rrezik për shëndetin e të tjerëve, ndërsa siç shihet kjo gjë nuk i pengon Ganiut i cili zhvillon aktivitetet e tij duke u takuar me gazetarë dhe qytetarë.

 

Ndryshe, ende funksionarët e tjerë të BDI-së, nuk e kanë bërë të ditur se a janë testuar apo jo pas kontaktit që kanë pasur me ministrin Bekteshi. Në qoftë se ato nuk janë testuar dhe vetëizoluar atëherë ato paraqesin një rrezik potencial të shëndetit për qytetarët me të cilët e kanë të obliguar të kenë kontakte.