Hidrocentralet e Agim Nuhiut dhe Hisen Xhemailit lënë Tetovën dhe rrethinën e saj pa ujë të pijshëm

0

Mali Sharr është duke përjetuar masakrën më të madhe ekologjike. Përveç prerjes ilegale të drurëve në këtë mal, kohës së fundit janë shtuar edhe hidrocentrale të shumta të cilat bëhen pengesë e eko-sistemit, gjegjësisht burimeve të shumta të ujit.

 

Funksionarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim kanë uzurpuar hapësira në Malin Sharr ku kanë ndërtuar hidrocentralet e tyre private me anë të së cilëve fitojnë shuma të majme të parave. Më i përfolur është emri i ministrit Hisen Xhemailit i cili në zonën mbi fshatin Vicë të Tetovës, ka ndërtuar disa hidrocentrale, të cilat si rrjedhojë kanë shterur burime të rëndësishme të ujit nga ku furnizohen me ujë qytetarët e Tetovës.

 

Ndërsa edhe Ministri aktual i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu së bashku me kryetarin e Komunës së Tearcës Isen Asani kanë ndërtuar hidrocentralet e tyre, njëri një hidrocentral e ka ndërtuar mbi fshatin Sllatinë ndërsa tjetri mbi atë të Dobroshtit. Kujtojmë që kohë më parë hidrocentralet e ndërtuara në Komunën e Tearcës bënë që një pjesë e qytetarëve atje të mos kenë ujë për pije.

 

Shumë organizata ekologjike kanë reaguar për këtë fenomen, ndërsa deri tani organet kompetente kanë heshtur, e sidomos edhe Ministria e Mjedisit e drejtuar nga kuadër i BDI-së ka heshtur duke mos dhënë asnjë përgjigje konkrete.