ASH-Tetovë: Zonja Kryetare Arifi,nuk trashet kurbani një ditë para Bajramit(video)

0

Zonja Kryetare, nuk trashet kurbani një ditë para Bajramit!

Kohëve të fundit po vërejmë se kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka shtuar intensitetin e punimeve (nëse mund të quhen punime) nëpër qytet. Gërryerja e rrugëve, shtegu i famshëm i biçikletave, promovime, prezantime, etj. Dhe të gjitha këto, vetëm që të duket para qytetarëve gjoja se ka bërë dhe po bën diçka. Jo zonjë, nuk pijnë ujë më këto trazimet tuaja. Qytetarët, ndonëse me vonesë, e kanë kuptuar se Ju po punoni që ta shkatërroni qyetetin tonë. Tetovarët nuk do ta lejojnë këtë! Aleanca për Shqiptarët nuk do ta lejojë, do t’i dalë zot qytetarit. Kishit kohë plot 7 vjet e 4 muaj. Përse po ju ngutet tani, në prag të zgjedhjeve?! Nuk jemi kundër meremetimeve, por Ju i keni bërë dhe vazhdoni t’i bëni, të gjitha punët, shkel e shko! Çdo herë, gjatë realizimit të projekteve nuk ka mbikëqyrje të punimeve, edhe pse ekzistojnë në letër, ndërkaq në teren shkelen të gjitha rregullat e ndërtimit. Pothuaj asnjëherë nuk ka tabelë me të dhëna për kompaninë si dhe të dhëna të hollësishme. Shumë projekte zgjasin me vite, ndërsa projekte tjera edhe nuk realizohen asnjëherë, siç janë: Bulevardi “Bllagoja Toska”, Stadiumi i qytetit, shkolla në fshatin Sellcë, rrugët që lidhin fshatrat e malësisë, Teatri i Tetovës, të mos flasim për rrugët e qytetit, ky është kapitull në vete.
Kaloni një ditë në këmbë nga Qendra për në Çarshinë e Epërme. Për shumicën e këtyre projekteve janë marrë kredi nga Banka Botërore për Zhvillim ose nga paratë që ndahen nga Qeveria! Pra asnjë investim kapital në komunën tonë nuk është realizuar nga buxheti bazë ose vetanak, që duhet të mbledhë komuna, nga tatimet dhe taksat komunale, tatimet në pronë si dhe shitja e tokës ndërtimore. Në këtë drejtim komuna është treguar krejtësisht e paaftë ose edhe më keq ato pak të hyra që janë grumbulluar, janë keqpërdorur. Zonja kryetare aty jeni për të lehtësuar jetën e qytetarit jo për ta rënduar. Ku po e çoni qytetin. Për çdo ditë po e rëndoni jetën e qytetarit! Për çdo ditë po i shtoni borxhet! Si kryetar i Degës së Aleancës për Shqiptarët, përmes mediave, po ju drejtohem publikisht: mjaft keqpërdorët pozitën si kryetare e komunës! Zonja kryetare, nuk ju thatë qytetarëve për çfarë telefonatash u harxhuan 150.000 euro, për një vit?! Si ka mundësi të kërkoni borxhe maramendëse ndërsa nuk ua paguani punëtorëve pagat mujore?! KULMI Gjithashtu, dua të përcjell shqetësimin tim dhe të ekipit, deri te kompanitë kontraktuese, të cilat po lidhin kontrata për realizimin e punimeve, në një periudhë mjaftë delikate. Ju lutem, bëni kujdes! Dikush duhet të japë llogari!