Remzi Mehmedi: Pika kyçe e platformës tonë, decentralizimi i plotë fiskal

0

Decentralizimi i plotë dhe i mirëfilltë fiskal, do të jetë pika kyçe e platformës së Aleancës për Shqiptarët. Këtë e tha, nënkryetari i kësaj partie, Remzi Mehmedi, në emisionin e sontëm “Rruga Drejt” në Alsat. Ai kujtoi se Aleanca për Shqiptarët, ka punuar në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se votat e tyre ishin vendimtare në votimin e Marrëveshjes së Prespës që hapi rrugën për anëtarësim të vendit në NATO.

“Ne kemi platformën tonë të cilën e kemi shpalosur, e shpalosim çdo ditë, diskutojmë dhe debatojmë hapur. Kemi qenë shumë konstruktiv si në ato pika që është dashur të përmbushen nga Marëveshja e Ohrit që vlerësojmë se nuk janë përmbushur në tërësi, si në përmbushjen e Marrëveshjes së Prespës ku përsëri votat tona ishin vendimtare për ndryshimet kushtetuese, me çka erdh për pasojë ndryshimi i emrit dhe integrimi në NATO. Sa i përket momentumit politik në të cilin ndodhemi, ne si pikë kyçe të kësaj platforme do të kemi decentralizimin e mirëfilltë fiskal, decentralizimin në kuptimin e plotë që nënkupton me të gjitha parametrat”, tha Mehmedi.