Thaçi – Zaev, pjesë e pazarit edhe lirimi nga akuza e Menduh Thaçit për keqpërdorime në zgjedhje

0

Pas disa javësh dhe para fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në muajin Tetor, pritet të shpallet aktgjykimi për Menduh Thaçin dhe Bedredin Ibrahimin për manipulime në procesin zgjedhor. Kjo vjen pasi kohë më parë lënda u kthye në rigjykim, pasi Thaçi dhe Ibrahimi bashkë me ish kreun e Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov u dënuan me burg.

Sot në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut u takuan Menduh Thaçi dhe Zoran Zaev. Ata paralajmëruan bashkëpunim për zgjedhjet lokale.

Por a ka qënë pjesë e bisedimeve, marrëveshjes dhe pazareve politike edhe aktgjykimi për Menduh Thaçin?

Kështu të paktën flitet në koluare të ndryshme brenda të dyja partive. Siç kemi arritur të mësojmë, njëri nga kushtet kryesore të Thaçit për përkrahje ka qënë lirimi nga akuza, e cila i rëndon që prej krijimit të Prokurorisë Speciale. Thaçi, por edhe Zaevi janë të vetëdijshëm për ndikimin e dobët në elektorat të partisë së Thaçit, prandaj ambiciet e tij nuk janë edhe aq të mëdha. Kryesorja mbetet pazari akuzën penale ndaj Thaçit dhe normalisht vota e tij në Parlament, si pjesë e shumicës qeveritare të krijuar pas zgjedhjeve të 15 Korrikut të vitit të kaluar.

Në Mars të vitit 2019, Gjykata e Shkupit ka dënuar me tre vjet burgim ish-drejtorin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, dhe liderin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, për lëndën “Titanik 2” e ngritur nga Prokuroria Speciale, meqë ka të bëjë me parregullsitë në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Dënimi më i madh i është shqiptuar Bedredin Ibraimit me 4 vjet e gjysmë burgim, i cili ishte anëtar i Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare, gjatë zgjedhjeve lokale të 2013-s.

Me 3 vjet burgim janë dënuar edhe tre anëtarët e tjerë të Komisionit Shtetërorë të Zgjedhjeve që vijnë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Sasho Srcev, Aneta Stefanovska , Vlatko Sajkovski.