Në Pejë përurohet memoriali ‘Kujtim dhe Miqësi’ në nderim të viktimave të 11 shtatorit në SHBA

0

Nën intonimin e dy himneve, atë të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të dielën në Pejë, u bë inaugurimi i memorialit “Kujtim dhe Miqësi” – në nderim të viktimave të 11 shtatorit nga sulmet terroriste në SHBA.

Nga sot, një pjesë e asaj historie është në qytetin e Pejës, simbolikë kjo e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në inaugurimin e memorialit morën pjesë zyrtarë nga Ambasada Amerikane, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe Klubi i Rotarianëve nga Shqipëria e Kosova.

Presidenti i Rotary Club Peja, Arbër Asllani, para fjalës së tij kërkoi një minutë heshtje nga të pranishmit në kujtim të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit.
Asllani tha se është përmbushur një premtim “Për të mos harruar kurrë dhe ta kuptojmë se si të gjithë ne jemi të lidhur me njëri tjetrin nën një qiell”.

Tutje theksoi se mjafton vetëm të përmendet 11 shtatori dhe njerëzit menjëherë kthehen në ngjarjet e ndodhura para 21 viteve.

“Shumë gjëra kanë ndodhur edhe në jetët personale por edhe në boten që na rrethon, dhe 11 shtatori ende duket si diçka që ka ndodhur dje. Mjafton vetëm ta përmendim datën 11 Shtator dhe njerëzit menjëherë kthehen në ngjarjet e ndodhura para 21 viteve. Historia gjithmonë do të ndahet në botën e para sulmeve të 11 Shtatorit dhe atyre pas sulmit. Kanë kaluar dy dekada që nga sulmi i 11 Shtatorit 2001, shumë gjenerata kanë lindur dhe janë rritur, 11 Shtatori më nuk është vetëm një përvojë e jetuar, por një mësim/histori i/e mësuar”, tha Asllani.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në fjalën e tij tha se ky është një hap i rëndësishëm, jo vetëm që Kosova ta ketë një memorial këtu, por edhe një pjesë nga Kullat Binjake.

“Ky është një hap i rëndësishëm, jo vetëm ta kemi këtë memorial këtu, por edhe ta kemi një pjesë të saj gjithashtu brenda Kosovës, sepse ka të bëjë me ndarjen e vlerës, bashkëpunimit…Ato ditë tregojnë se ne duhet që të qëndrojmë më shumë së bashku për shkak të ndarjes së vlerave demokratike për të cilat mendojmë bashkë këtu në Kosovë dhe gjithashtu tregojnë se duhet t’i mbajmë ‘gjallë’ këto memoriale, të sigurohemi se kjo nuk do të ndodhe më, dhe duhet të qëndrojmë bashkë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe për të gjithë ata që vijnë pas nesh”, ka thënë Mehaj.