Nebiu nga ASH i mban Apasievit leksione juridike për Haraçinën

0

Një leksion nga jurisprudenca për një “jurist” nga një politikolog

 

Shkruan: Mr. Driton Nebiu

Edhe pse me profesion nuk jam jurist, jam i detyruar që të përpiqem t’i mbaj një leksion të shkurtër nga jurisprudenca “juristit” në rol të një Haraçinofobi, deputetit Apasiev.
“Juristi” Apasiev ka parashtruar kallëzim penal për “vjedhje të rrymës”, jo ndaj një banori, por ndaj të gjithë banorëve të Haraçinës, me çrast pa asnjë provë, por vetëm i udhëhequr nga opsesioni i tij me Haraçinën, realisht tregon se ai nuk është i interesuar për dëmin eventual apo “vjedhjen”, por thjesht dëshiron që t’i paraqesë haraçinasit dhe me këtë të gjithë shqiptarët si njerëz të cilët sipas pikëpamjeve të tija janë fajtorë vetëm për arsyen se janë gjallë.
Po ky i njëjti “jurist”, edhe pse i vetëdijshëm se nuk ka asnjë bazë, në emër të tij parashtron padi, pa përmedur apo parashtruar një provë konkrete se si ai e vërteton “vjedhjen”, a ka qenë në vend të ngjarjes për ta parë gjendjen, prej nga i ka ato të dhëna apo në çfarë baze është parashtruar e njëjta.
Kur parashtrohet kallëzim penal, duhet t’i adresohet një personi të caktuar fizik apo juridik, por deri tani askund nuk kemi dëgjuar se një padi e tillë parashtrohet ndaj një kolektivi të tërë, banorë të një komune të tërë edhe atë vetëm për shkak të faktit se janë gjemb në sy të njëfarë “juristi”.
Qëllimi i “juristit” Apasiev është i ditur dhe nënkuptohet.
Duke mos pasur kapacitet që të arsyetohet para urdhërdhënësve të tij për interesat e të cilëve punon në skenën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, “juristi” e keqpërdor pozitën e tij, po edhe hapësirën publike mediatike, kështu që gjithandej përhap teza të cilat sjellin përçarje, ndërsa çdo problem eventual në vend e paraqet si etnik, e gjatë kësaj është i vetëdijshëm se sillet në mënyrë JOETIKE, por dosido kjo i është dhënë ta punojë dhe për këtë paguhet, e si duket jo në denarë, as në euro apo dollarë, por në rubla.

Mr. Driton Nebiu